Gostivari gjatë ditës së djeshme ka emëruar trajnerin e ri, i cili do të udhëheq skuadrën në vazhdim të kampionatit. Bëhet fjalë për strategun tetovar, Dashmir Beari, i cili në postin e trajnerit te Gostivari do të pasojë Afet Ibraimin, njofton “infOSport.mk”.
Kështu Beari bëhet trajneri i tretë që do të udhëheq Gostivarin këtë edicion. Skuadra gostivarase sezonin 2020/2021 e nisi me Biroll Topçiun, i cili në 4 ndeshjet e para të sezonit regjistroi dy fitore dhe dy barazime.
Mirëpo edhe përkundër këtyre rezultateve Topçiu vendosi që të largohet nga Gostivari, ndërsa vendin e tij e zuri ndihmësi i tij Afet Ibraimi.
Nën drejtimin e Ibraimit, KF Gostivari në 7 ndeshje morri 5 fitore dhe dy disfata, që erdhën brenda 3 ditëve, edhe atë fillimisht me 21 tetor kundër Shkëndijës në kuadër të 1/8 së finales së Kupës dhe së fundmi kundër Kadinos në kampionat.
Pasoi pauzë dy javore për shkak pandemisë “Covid 19”, mirëpo edhe në këtë periudhë Gostivari nuk arriti dot të gjejë trajnerin e ri, ndërsa e gjithë kjo ndikoi negativisht te skuadra, e cila fundjavën që lamë pas u mund në transfertën nga Ohrid Lihnidos me rezultatin minimal 1:0, transmeton “infOSport.mk”.
Këto dy disfatat e fundit kampionale bënë që Gostivari të humbas pozitën e parë në renditje në Ligën e Dytë – Perëndim. KF Gostivari pas 10 xhirove të para me 20 pikë pozicionohet në vendin e dytë, derisa pozitën e parë e mban Skopje me 21 pikë.
Dashmir Beari debutimin e tij me Gostivarin do ta ketë përballë Labunishtës në terren vendas me 4 nëntor.