FSHF konfirmon lëvizjet, ja si ndryshon lista e kombëtares

Ndryshime në listën e kombëtares shqiptare. FSHF ka dalë me njoftim dhe bën me dije se Lorenc Trashi dhe Xhiakomo Vrioni nuk do të jenë në ndeshjet e nëntorit, ndërkohë që risitë janë Marsel Ismajlgeci dhe Erion Hoxhallari. Në dyshim është Marash Kumbulla, kurse Gjasula mungon vetëm me Kosovën.

Lista e futbollistëve të ftuar te kombëtarja shqiptare për miqësoren me Kosovën dhe ndeshjet e Ligës së Kombeve kundër Kazakistanit dhe Bjellorusisë:

Portierë: Etrit Berisha, Alban Hoxha, Marco Molla
Mbrojtës: Elseid Hysaj, Berat Gjimshiti, *Marash Kumbulla, Ramen Çepele, Hysen Memolla, Frederic Veseli, Albi Doka, Ardian Ismajli, Marsel Ismajlgeci, Erion Hoxhallari
Mesfushorë: Ledian Memushaj, Lindon Selahi, *Klaus Gjasula, Ylber Ramadani, Amir Abrashi, Qazim Laçi, Sherif Kallaku, Enis Çokaj
Sulmues: Bekim Balaj, Armando Broja, Rey Manaj, Taulant Seferi, Myrto Uzuni, Sokol Cikalleshi

 

NJOFTIMI – Kombëtarja shqiptare ka nisur përgatitjet për tre ndeshjet e muajit nëntor, por lista kuqezi do të ketë ndryshime për shkak të pandemisë COVID-19 dhe problemeve e janë hasur me klubet.

Një pjesë e lojtarëve të grumbulluar nga trajneri Edoardo Reja i janë bashkuar tashmë skuadrës dhe kanë nisur stërvitjen, ndërkohë që disa të tjerë pritet të vijnë sot në mbrëmje dhe nesër. Situata pandemike dhe masat kufizuese të vendeve të ndryshme kanë sjellë probleme edhe për kuqezinjtë.

Zyra e shtypit të FSHF-së bën me dije se mbrojtësi Lorenc Trashi nuk mund të bashkohet me skuadrën pikërisht për shkak të masave kufizuese në Kuvajt, ku aktivizohet aktualisht lojtari.

Gjithashtu, edhe mbrojtësi tjetër, Marash Kumbulla është në dilemë për shkak se autoritetet shëndetësore italiane i kanë kërkuar të gjithë lojtarëve të Romës që të qëndrojnë momentalisht në karantinë pas daljes pozitiv të një prej lojtarëve të këtij klubi.

Në pritje të përgjigjes së tamponëve, stafi kuqezi shpreson që të ketë Kumbullën të paktën për dy ndeshjet zyrtare të Ligës së Kombeve. Gjithsesi, FSHF është kontakt të vazhdueshëm me dy klubet për të marrë informacione të mëtejshme për situatën e dy futbollistëve. Sakaq, konfirmohet edhe mungesa e sulmuesit Giacomo Vrioni, i cili është dëmtuar.

Në këto kushte trajneri Reja ka vendosur të thërrasë dy mbrojtësit e Tiranës, Erion Hoxhallari dhe Marsel Ismajlgeci, të cilët janë vënë menjëherë nën urdhrat e stafit teknik kuqezi. Edhe Klaus Gjasula pritet të humbasë miqësoren me Kosovën, pasi do të bashkohet me grupin ditën e premte, 13 nëntor. Për pjesën tjetër të grupit nuk ka probleme dhe deri të martën në mëngjes të gjithë do të jenë në gatishmëri.

Më 11 nëntor kuqezinjtë do të luajnë në miqësore ndaj Kosovës në “Elbasan Arena”, ndërsa më 15 nëntor luhet ndaj Kazakistanit në stadiumin “Air Albania” sfida zyrtare për Ligën e Kombeve. Tre ditë më pas, më 18 nëntor, Kombëtarja do të zhvillojë sfidën e fundit të grupit në Ligën e Kombeve ndaj Bjellorusisë po në stadiumin “Air Albania”.

Leave a Reply