Fitorja 3:2 me Interin në mesjavë në duelin e Ligës së Kampionëve dha shpresa se Reali po rikthehet në rrugën e duhur, por një gjë e tillë nuk ndodhi edhe në realitet, pasi “madrilenët” sërish u njoftuan me humbjen.
Djemtë e Zinedine Zidane u turpëruan 4:1 në fushën e Valencias, duke humbur një shans të mirë për t’iu afruar Real Sociedadit të vendit të parë.
Fillimi i ndeshjes nuk paralajmëroi një fund të tillë, pasi falë një eurogoli të vërtetë nga ana e Karim Benzemas, Reali kaloi në epërsi pas 23 minutave lojë.
Megjithatë kjo ishte e tëra që bënë futbollistët madrilen, pasi në vijim e tërë skena ishte për futbollistët vendas.
Solar barazoi shifrat pas një penalltie të ekzekutuar për herë të dytë, ndërsa Varane realizoi autogol në fundin e pjesës së parë.
Dy golat e tjerë u shënuan sërish nga 23-vjeçari Solar dhe sërish nga pika e bardhë, duke rrumbullaksuar “hat-trikun” e tij të parë me fanellën e Valencias, që në këtë mënyrë arriti deri tek tre pikëshi i plotë.
Me këtë fitore skuadra nga “Mestalja” arriti në kuotën e 11 pikëve, duke u barazuar me Barcelonën në vendin e 8-të, ndërkohë Reali i Madridit me 16 pikë mban pozitën e katërt.