Real Madridi dhe Interi sonte do të përballen për herë të parë në kuadër të grupit “B” të Ligës së Kampionëve. Edhe pse pritej që të dyja këto skuadra të kryesonin renditjen, pas dy xhirove të para po ndodh e kundërta!
Dy skuadrat gjigande që janë në grup së bashku edhe me Shakhtar Donetskun dhe Borusia Menhengladbahun, ndodhen në pozitat 3 dhe 4, duke mos arritur të fitojnë asnjë ndeshje.
Reali fillimisht u mposht në shtëpi nga Shakhtari (2:3), që më pas të barazojë (2:2) në transfertën ndaj Gladbahut në Gjermani. Me barazim 2:2 ndaj skuadrës gjermane ishte ndarë edhe Interi, skuadër kjo që barazoi pa gola edhe në transfertën në Ukrainë.
Njëherit përballja midis Realit të Madridit dhe Interit, do të jetë e para pas plotë 20 viteve. Këto dy skuadra për herë të fundit në një garë europiane ishin takuar në sezonin 1998/1999, kur ishin takuar në fazën e grupeve të Ligës së Kampionëve, njëjtë sikurse edhe sonte.
Atë kohë Reali fitonte 2:0 në “Santiago Bernabeu”, derisa Interi fitonte 3:1 në “Xhuzepe Meaca”.