Mungon vetëm firma por në këtë rast është vetëm një formalitet. Pas takimit që patën gjatë drekës së djeshme në qëndrën stërvitore në “Castel Volturno” ku ishin të pranishëm edhe drejtori sportiv Giuntoli dhe presidenti De Laurentiis, Rino Gatuzo ka vendosur të vazhdojë aventurën e tij te Napoli duke pranuar rinovimin e kontratës.
Trajneri do të firmosë deri në vitin 2023 me pagën që do të rritet nga 1,4 milionë euro që përfiton aktualisht në sezon, në 1,9 milionë euro, plus bonuset që janë të lidhur me objektivat duke filluar nga pozicionimi në Ligën e Kampionëve e deri tek fitimi i trofeve.
Heqja e klauzolës prej 7 milionë eurosh në rast ndërprerjeje të njëanshme të kontratës nga ana e trajnerit ka rezultuar përcaktuese në bisedimet mes palëve për arritjen e akordit.
Napoli i ka besuar projektit të Gatuzos dhe me ish-mesfushorin e Milanit në stol synon të arrijë suksese gjatë një periudhe afatgjate.