Lajme të mira për Juventusin. Kristiano Ronaldo edhe pse vazhdon të mbetet pozitiv me koronavirus mund t’i japë fund vetë-izolimit në 3 ditët e ardhshme, pasi ka një ngarkesë të ulët virale.
Ronaldo kurrë nuk ka pasur simptoma dhe ka qëndruar në karantinë për 18 ditët e fundit dhe gjatë tri ditëve të ardhshme mund të largohet nga izolimi.
Sipas gazetës së njohur italiane “Tuttosport”, protokolli i miratuar nga komiteti tekniko-shkencor në Itali lejon që njerëzit asimptomatikë me një ngarkesë të ulët virale të lënë vetë-izolimin pas 21 ditësh pasi është e pamundur që ata të infektojnë njerëz të tjerë.
Megjithatë, sulmuesi i Juventusit nuk do të ishte në gjendje të zbriste në fushë derisa të ketë një test negativ të Covid-19.
Në këtë sezon të “Serie A”, Ronaldo në dy ndeshje ka realizuar 3 gola, teksa mungesa e tij është ndjerë shumë në 4 ndeshjet e fundit, ku ka marrë vetëm një fitore, edhe atë ndaj Dinamo Kievit në transfertën e Ligës së Kampionëve, teksa ishte mundur së fundmi nga Barcelona dhe kishte regjistruar dy barazime në kampionat kundër Krotones, gjegjësisht Veronës.
Juventusi pas 5 xhirove të para në “Serie A” ndodhet në pozitën e 5-të me 9 pikë, 4 më pak se lideri aktual, Milani.