Mauricio Sarri nisi pushimet në 8 gusht, datë kur Juventusi vendosi ta shkarkojë nga posti i trajnerit. Megjithatë Sarri vazhdon të marrë pagë sezonale prej 6 milion euro prej kampionëve në fuqi, kjo për shkak kontratës që italiani ka me “Zonjën e Vjetër” deri në verën e vitit 2022.
Mirëpo si duket “bashkëpunimi” mes tyre do të ndërpritet së shpejti, pasi siç raportojnë mediat italiane, tashmë disa ditë palët po negociojnë për ndërprerjen e bashkëpunimit.
Agjenti i Sarrit ka qenë në zyrat e “bardhezinjëve” në fillim të javës dhe TMË raporton se akordi i zgjidhjes së kontratës me “Zonjën” është arritur.
Zyrtarizim nuk ka akoma, por 61-vjeçari ka përfunduar të gjitha procedurat për mbylljen përfundimtare të kontratës që e lidh me Juventusin.
E ardhmja e trajnerit italian lidhet me Fiorentinën, që është edhe skuadra e tij e zemrës. Xhuzepe Jakinin e pret shkarkimi nëse rezultatet pozitive nuk do vijnë, ndërsa Sarri është në krye të listës së dëshirave të presidentit Komizo.