Deklarata e Munishit pas fitores kundër Prishtinës

Java e 9-të në Superligën e Kosovës solli përballjen derbi midis Ballkanit të Ismet Munishit dhe Prishtinës së Zekirja Ramadanit. Edhe pse skuadra e strategut shkupjan gjatë 45 minutave të para ishte në avantazh, në fund pësoi disfatë 2:1, që ishte e dyta rradhazi pas asaj ndaj Gjilanit.

Kjo fitore fiton më shumë në peshë, pasi u arritë në minutat shtesë të takimit, ndërsa kjo ka gëzuar edhe kryetrajnerin e Ballkanit, Ismet Munishin.

“Kundërshtari kishte ardhur të mbrohej dhe kjo u pa që nga minuta e parë. Na dënoi përmes kundërzbritjeve, ndërkohë që ne u rikthyem pas një angazhimi dhe dëshire të madhe që patëm për fitore. Ballkani po tregon që është një skuadër spektakolare, madje edhe atëherë kur humbet. Shfrytëzoj rastin t’u kërkoj falje tifozëve suharekas për disfatën e kaluar ndaj Trepçës ’89 dhe njëherit ta uroj këtë skuadër, pasi që nuk e kam pasur mundësinë më herët për ta bërë një gjë të tillë”, deklaroi Munishi pas ndeshjes.

Ballkani pas 9 xhirove të para kryeson renditjen me 22 pikë, duke lënë shumë mbrapa kundërshtarët e tij, me përjashtim të Dritës së Gjilanit, skuadër kjo që ka 16 pikë, por edhe dy ndeshje më pak.

Leave a Reply