Maqedonia e Veriut në një nga ndeshjet më të rëndësishme të këtij viti, mposhti Kosovën në Shkup me shifrat 2:1, duke qenë kështu një hap larg ëndrrës së madhe për tu kualifikuar në Europianin e ardhshëm.
Një meritë të madhe për këtë ecuri dhe rezultate pozitive, pa dyshim se kanë edhe futbollistët shqiptarë, me në krye Enis Bardhin, që në atë ndeshje të 8 tetorit ishte një ndër futbollistët më të dalluar në fushën e blerta.
Shkupjani i ftuar në emisionin “Sport Time“ në “Super Sport“, i është kthyer edhe njëherë sfidës me “dardanët”.
Mesfushori i Levantes shprehet se ka marrë shumë reagime si pozitive, ashtu edhe negative pas asaj përballjeje, ndërsa thekson faktin se është shqiptar dhe një gjë të tillë nuk mund t’ja mohojë askush.
“Jemi shumë të kënaqur që e kaluam me sukses ndeshjen me Kosovën, por nuk ka përfunduar asgjë. Kemi edhe një 90-minutësh për kualifikimin. Edhe para ndeshjes me Kosovën kam thënë që ekipi ynë ka më shumë eksperiencë. Kosova ka shumë lojtarë të fortë në aspektin individual. U futëm në fushë për ta fituar ndeshjen, jo për të bërë disa gjëra në mënyrë individuale. Edhe Kosova zhvilloi një ndeshje të fortë, më vjen keq për djemtë, por kam besim se shumë shpejt do të shkojë në Europian” – është shprehur fillimisht Bardhi, i cili thotë se ndeshja me Kosovën për të ka qenë shumë e veçantë.
“Përballja me Kosovën ishte e veçantë. Pas ndeshjes kam patur komente pozitive dhe negative. Çdo futbollist duhet të japë maksimumin për ekipin ku luan. Jam shqiptar e nuk ma mohon askush, por tani do të jap maksimumin për Maqedoninë për përparimin edhe në aspektin profesional. Nuk kemi pasur kurrë probleme brenda skuadrës, kemi respekt për njëri-tjetrin dhe në fushë japim maksimumin. Si ekip mund të bëjmë një histori që nuk e ka bërë askush” – ka thënë Enis Bardhi, i cili aktualisht luan me Levanten në La Liga, një ndër ligat më të fuqishme europiane.