Superliga Europiane është kompeticioni më i ri që po mendohet të organizohet nga klubet e mëdha të futbollit. Në media është shkruar shumë rreth këtij projekti, i cili po merr formë dita-ditës.
I pari që e konfirmoi diçka të tillë është tashmë ish-presidenti i Barcelonës, Josep Maria Bartomeu, i cili dha dorëheqjen nga katalanasit ditën e djeshme. Ai deklaroi se klubi nga “Katalunja” ka pranuar të marrë pjesë në projektin e ri, çka do të sillte një ndryshim thelbësor në futboll.
Sipas raportimit të gazetës spanjolle “AS”, turneu i ri pritet të startojë në shtator të vitit 2022, ndërsa në të do të marrin pjesë 18 klube nga TOP5 ligat më të fuqishme europiane.
Ndeshjet mes tyre do të zhvillohen me sistemin vajtje-ardhje si dhe në fund të sezonit do të ketë një “play-off” midis tyre.
Klubet që pritet të marrin pjesë në Superligën Europiane sipas “AS”, janë, Barcelona, Atletiko Madrid, Real Madrid dhe Valencia nga Spanja, Juventusi, Interi dhe Milani nga Italia, Paris Sen Zhermeni, Marseja dhe Lioni nga Franca, Bajern Munihu, Borusia Dortmundi dhe Bajer Leverkuseni nga Gjermani, ndërkohë nga Premierliga angleze do të marrin pjesë Liverpulli, Mançester Junajtedi, Çalzi dhe Mançester Siti.