Renova sot barazoi 3:3 në transfertën në Shkup ndaj rivalit të vjetër, Vardarit. Ishte kjo ndeshja me më shumë gola e javës së 10-të, ndërsa skuadra nga Xhepçishti edhe pse në dy raste kishte disavantazh prej dy golave, në fund drejt Tetovës u rikthye me një pikë, njofton “infOSport.mk”.
Një ndër futbollistët më të dalluar te “gjipspunuesit” ishte mbrojtësi i krahut të djathtë, Bashkim Veliu, i cili paraqitjen e tij të mirë e kurorëzoi me një super gol të shënuar në minutën e 42-të.
Pasi pranoi një top në zonën kundërshtare, me një super lëvizje arriti që të përfitojë hapësirën e duhur për goditje me të majtën e tij, duke shënuar një nga golat më të bukur të kësaj jave.
Ndryshe Veliu kishte merita të mëdha edhe gjatë shënimit të golit të parë nga ana e Remzifaik Selmanit, kur me të majtën e tij vuri në mjaft vështirësi portierin vendas, Filip Iliq, i cili më pas kapituloi para sulmuesit mysafir.