Makedonija GJ.P, një skuadër kjo që dinë të thithë talentët shqiptarë. Pas Sefer Eminit, i cili javë më parë u transferua në Rusi, në pah te skuadra nga lagjja e Gjorçe Petrovit të Shkupit, po delë një tjetër talent, 19-vjeçari Arbi Vosha, i cili sot në ndeshjen kundër Akademia Pandev morri vëmendjen e të gjithëve, njofton “infOSport.mk”.
Vosha thjeshtë ishte i pandalshëm për mysafirët nga Strumica, ndërsa disponimin e tij të mirë e dëshmoi ende pa mbaruar minuta e dytë, kur lëshoi një predhë të vërtetë në drejtim të portës kundërshtare, që përfundoi pas shpinës së portierit Alçevski.
Ishte ky goli i dytë sezonal për talentin shqiptarë, i cili kishte shënuar një gol mjaft të bukur edhe në ndeshjen e javës së 7-të kundër Renovës në Tetovë.
Ky gol ishte valid deri në minutën e fundit të pjesës së parë, kur pas një krosimi nga rivënia e këndit, mbrojtësi serb i Akademia Pandev, Mario Maslaq barazoi shifrat në 1:1.
Megjithatë në pjesën e dytë vendasit të udhëhequr nga futbollisti më i mirë i ndeshjes Arbi Vosha, shënuan edhe dy gola të tjerë.
Ishte Filip Mishevski, ai i cili në minutën e 50-të mjaft mirë reagoi në zonën kundërshtare dhe me pjesën e pasme të kokës arriti që edhe për herë të dytë të mposhtë portierin mysafir.
Në minutën e 64-të pas një aksioni të bukur të filluar nga Khalid që nga mesi i fushës, sulmuesi nga Gana shënoi golin e tretë, por që protagonistë kishte sërish Arbi Voshën, i cili lëshoi një predhë tjetër në këtë takim, mirëpo që kësaj rradhe përfundoi vetëm në shtyllë, ndërsa topin e devijuar, Khalid Abdul Basit arriti që edhe për herë të tretë ta vendos pas shpinës së Alçevskit.
Fitore më se e merituar e Makedonija Gj.P, që duhet të mburret që në rradhët e veta ka një margaritarë si Arbi Vosha, para të cilit është një e ardhme e ndritur. (Foto: gol.mk)