Mbrojtësi i Kombëtares së Shqipërisë, Marash Kumbulla, ka gjetur golin e parë me fanellën e Romës, duke shënuar në debutimin e tij me fanellën e skuadrës “romake” në ndeshjet e Liga Europa, njofton “infOSport.mk”.
Futbollisti kuqezi shfrytëzoi në mënyrën më të mirë të mundshme krosimin e Henrik Mkitarian në minutën e 74-të dhe dërgoi lehtësisht topin në rrjetë duke përmbysur rezultatin në ato momente në 1:2 në përballjen kundër Jang Bojs, e vlefshme për grupin “A” të Liga Europa.
Ndryshe të parët që shënuan në këtë përballje ishin vendasit, që avansuan me golin e Nsame në minutën e 14-të nga penaltia, ndërkohë rikthimin e Romës e paralajmëroi Bruno Peres në të 69-tën, teksa për fitoren e “Ujkeshës Romake” u përkujdes futbollisti shqiptarë, Marash Kumbulla.
Në ndeshjen tjetër të grupit “A”, CSKA Sofja u mund në shtëpi nga rumunët e Kluzh me shifrat 2:0.