Futbolli çek sërish në pauzë! Kjo për shkak numrit të madh të të infektuarve me koronavirus në këtë shtet gjatë ditëve të fundit.
Kështu Çekia bëhet shteti i parë që ndalon futbollin sërish, ndërsa ky vendim i autoriteteve përkatëse mund të ketë një ndikim edhe në ndeshjet e Liga Europa, duke pasur parasysh se pjesë e këtij kompeticioni janë edhe dy skuadrat nga kryeqendra çeke, Slavia dhe Sparta Praga.
Në fakt, Sparta Praga ka marrë “ok” vetëm për të pritur skuadrën franceze Lille në ndeshjen e parë në grupe, që në program është sonte, ndërsa për ndeshjet e
ardhshme, situata do të rivlerësohet dhe nëse ka përkeqësim, mund të ketë tërheqje të të dyja skuadrave nga turneu i dytë më i vlerësuar në Europë në nivel klubesh.
Në ndeshjen e sotme që Sparta Praga do ta zhvillojë në shtëpi përballë Lille, në stadium nuk do të ketë spektatorë, pas urdhrit të nxjerrë nga Ministria Çeke e Shëndetësisë, përveç 350 personave të angazhuar për mbarëvajtjen e takimit.