Reali i Madridi nuk ka arritur ti shpëtojë disfatës në duelin kundër Shakhtar Donjetskut, edhe pse në një moment kishte festë të paktën për një barazim të skuadrës “madrilene”, që megjithatë në fund u mposht me shifrat 2:3, njofton “infOSport.mk”.
Valverde në minutën e fundit të takimit arriti që të barazojë rezultatin, mirëpo një prekje milimetrike e Vinicius Junior, bëri që arbitri të rishikojë VAR-in, dhe të konstatojë se kishte pozitë jashtëloje.
Kështu festa e “mbretërve” u rikthye në zhgënjim, pasi askush nuk e priste një rezultat të tillë, sidomos pas problemev me koronavirus që kishte skuadra mike nga Ukraina.
Ndryshe fitoren e Shakhtarit në këtë përballje të zhvilluar në Madrid, e paralajmëroi braziliani Tete me golin e shënuar në minutën e 29-të, derisa vetëm 4 minuta më vonë Varane shënoi në rrjetën e gabuar, duke i mundësuar Shakhtarit avantazh prej dy golash.
Deri në fund të pjesës së parë mysafirët shënuan edhe një gol tjetër, të tretin në rrjetën e Kurtua, me autorë Manor Solomon, i cili ishte një ndër futbollistët më aktiv te skuadra e Shakhtar Donjetsk, shënoi edhe një gol tjetër, por që u anulua për shkak pozitës jashtëloje.
Kroati Luka Modriç dhuroi spektakël në minutën e 54-të. Dy driblime dhe një “predhë” që la të shtangur në vend portierin ukrainas.
5 minuta më vonë erdhi edhe goli i dytë i “Mbretërve”. Presingu i lartë i “Madrilenëve” dha efekt pozitiv dhe Vinicius Junior, i cili kishte pak sekonda që ishte futur në fushë, dërgoi topin në rrjetë me një goditje të saktë, duke bërë që rezultati pas një ore lojë në semafor të tregojë 2:3, rezultat ky që në fund doli të jetë edhe rezultati final i këtij takimi të parë në kuadër të grupit “B”, aty ku në këto momente po luajnë edhe Interi dhe Borusia Menhengladbahu.
Ndërkohë po me barazim u mbyll edhe takimi tjetër i orës 18:30, ai midis Salzburgut dhe Lokomotivës së Moskës (2:2), i vlefshëm për grupin “A”.