Përderisa të tjerët vraponin për një foto kujtim me futbollistët e Spanjës, ishte gazetari i televizionit Shenja, Faton Zylbehari (njëkohësisht edhe zëdhënës i FFM-së) që qëndronte krah për krah me yjet si Serhio Buskets, David Silva e seleksionuesi i Spanjës, Hulien Lopetegi në konferencën për media që udhëheqi para dhe pas ndeshjes Maqedoni-Spanjë, të vlefshmepër eliminatoret e Botërorit Rusi 2018.
Në vazhdim iu sjellim një intervistë të realizuar nga gazeta “Lajm” me Zylbeharin, me këtë të fundit që rrefeu për ndjesinë për të qenë afër tyre, sa ka qenë moment i bukur për të dhe nga kush e mësoi gjuhën spanjolle.
Intervista e plotë:
“Natyrisht është ndjenjë e bukur sepse bëhet fjalë për yjet më të mëdhenj të futbollit botëror, që kanë fituar gjithçka që mund të fitohet në botën e futbollit. Herën e kaluar isha me tani më ish-seleksionuesin Del Bosque, pastaj Sergio Ramos e Iker Kasiljas. Tani Lopetegi, Buskets dhe David Silva. Kam pasur edhe shumë mundësi tjera për tu takuar me yje botëror, mes tjerash isha në Dubai në ‘Globe Soccer Aëards’ ku takova tekstualisht më të mëdhenjtë dhe menaxherin shqiptar Fali Ramadanin mes tyre dhe gjëja më e rëndësishme që kam mësuar dhe që më ka pëlqyer është se sa do që të duken larg, edhe ata janë njerëz dhe shumica e tyre kanë një modesti admiruese që duhet të mirret shembull’, e nis rrëfimin e tij Zylbehari, gazetar sportiv.
Ai thekson se është moment i bukur kur drejton një preskonferencë me yje të Barcelonës dhe Realit. Kjo i ka ndodhur për herë të dytë dhe prandaj ishte përgatitur maksimaliht.
“Po sepse jam tifoz i Barcelonës dhe herën e kaluar isha me lojtarë të Realit (haha). Shakatë anash, padyshim se po. Por të jem i sinqertë tani deri diku edhe isha i përgatitur dhe e dija se çka më pret. Hera e parë para dy viteve ishte një nga momentet më të bukura në karierën time dhe reagimi i njerëzve për rreth bënë që unë të ndjeja peshën e asaj që po ndodhte. E kam thënë dhe po e përsëris se kur jam ulur me ata yje dhe para një numri aq të madh të mediave nga vendi, Spanja dhe gjetiu, nuk e kam menduar veten apo familjen. Thjesht jam ndjerë si një shqiptarë krenar që përfaqëson kombin e tij në mënyrë të denjë. Ne duhet të punojmë edhe më shumë për të treguar vlera dhe për të zënë pozita të rëndësishme, e jo vetëm të jemi numër apo vetëm për punë fizike, për të cilat gjithsesi kam respekt. Prandaj dua publikisht edhe një herë të falënderoj ata që besuan te unë për të më dhënë këtë detyrë. Uroj që me punën time të kem arsyetuar besimin”, vijon Zylbehari.
Ky i fundit tregon se është i kënaqur me punën që po bën.
“Duhet të jem i kënaqur, por gjithmonë mundet më shumë. Nëse kthehemi pas, janë shumë gjëra të bukura dhe ndjej një satisfaksion te madh profesional. Ka qenë fati im të jem shqiptari i parë që emërohem këtë post, më ka ra hise dhe jam munduar të përgjigjem në nivelin e duhur. Realisht jam munduar të jap më të mirën nga vetja, por edhe federata më ka dhënë shumë. Para se gjithash përvojë të madhe ndërkombëtare, udhëtime në vende të ndryshme dhe përvoja të mëdha që nuk blihen me para. Gjithmonë do të jem mirënjohës për këtë shans, sepse sot jam krejtësisht tjetër nivel në raport me atë para se të jem zëdhënës i FFM-së. Ndërkohë në këto privilegjet të jem në konferencat për shtyp me yjet e Spanjës vijë direkt nga njohuria ime e gjuhës spanjole”, tregon ai.
Në fund Zylbehari tregon se si e ka zotëruar gjuhën spanjolle.
“Kam mësuar vite me radhë dhe kam arritur në nivel të kënaqshëm. Më duhet të jem i sinqertë dhe të pranoj se bazë fillestare nga serialet spanjole që vite me rradhë janë transmetuar në televizonet tona. Nuk besoj të ketë familje që ka arritur t’i shmang në tërësi. Por në kënvështrimin e tashëm une realisht ja pashë hajrin. E them njohuri fillestare kisha nga serialet. Pastaj në brendësi hyra kur në televizionin Alsat-M për tre vite kishim të drejtat e transmetimit të ndeshjeve të La Ligës. Tre vite çdo ditë duke lexuar e dëgjuar media spanjole hyra shumë në thellësi, posaçërisht të vokabularit sportiv. Tani përmirësimin më të madh e kam arritur pasi në Shkëndijë erdhi futbollisti brazilian Junior. Komunikimi i përditshëm me të më ka ndihmuar shumë të përmirësoj gjuhën spanjole”, përfundon intervistën e tij për lajm, gazetari sportiv në TV Shenja dhe zëdhënësi i FFM-së, Faton Zylbehari.