Ylli i Bajernit të Munihut, Serzh Gnabri ka rezultuar pozitiv me “Covid 19” para ndeshjes me Atletiko Madridin, që në program është nesër mbrëma. Lajmin e kanë konfirmuar edhe nga klubi bavarez përmes një njoftimi në faqet zyrtare. “Serzh Gnabri ka dalë pozitiv me COVID-19. Ai gëzon shëndet të mirë dhe është izoluar në shtëpi”, – thuhet në njoftimin e bavarezëve.
Kështu Gnabri do të humbas ndeshjen e nesërme në kuadër të xhiros së parë në edicionin e ri të Ligës së Kampionëve kundër Atletiko Madridit, ndërsa me shumë gjasa do të humbas edhe dy ndeshjet tjera të këtij kompeticioni kundër Lokomotivës së Moskës dhe Salzburgut.
Gnabri gjithashtu për shkak izolimit 14 ditor, do të lëshojë edhe dy ndeshjet kampionale kundër Ajntrahtit të Frankfurtit dhe Këllnit, ndërsa i njëjti do të rikthehet për derbin e madh kundër Borusia Dortmundit me 7 nëntor.