Prej thuajse tre vitesh, emri i Elseid Hysajt rreshtohet gjithmonë mes atrye që janë pranë largimit nga Napoli. Por në fund, mbrojtësi mbetet përsëri pjesë e “napolitanëve” e për më tepër, kthehet në fushën e lojës si titullar.
Edhe këtë vit po ndodh e njëjta gjë.
Hysaj mund të largohej në verë por nuk u transferua në klub tjetër dhe është në fund të kontratës me napolitanët.
Por nën drejtimin e Gatuzos, ai vazhdon të mbetet një pjesë e rëndësishme e skuadrës dhe trajtohet si i tillë, edhe pse nuk luan më në vendin e tij të zakonshëm në të djathtë të mbrojtjes, por në krahun tjetër të fushës.
Vetë Napoli e ka kuptuar vlerën e futbollistit dhe kjo është arsyeja se pse gjatë ditës së djeshme, ka festuar pikërisht mbrojtësin shqiptar për arritjen e tij.
Në ndeshjen kundër Atalantës, Hysaj regjistroi ndeshjen e 150 si titullar me fanellën e Napolit në Serinë A, një shifër mbresëlënëse nga futbollisti i cili në teori duhej të kishte më pak hapësira në këtë klub dhe cilësohej si i padëshiruar.
Nëse në fund të këtij sezoni vjen edhe rinovimi që po diskutohet prej kohësh, atëherë nuk është çudi që kjo shifër të jetë vetëm fillimi i ndjekjes së rekordeve nga Hysaj, duke pasur parasysh se me dyfishin e kësaj shifre ndeshjesh si titullar, do ta shihte veten mes 5 lojtarëve më të aktivizuar në historinë e Napolit.