Ish futbollisti i Rabotniçkit, Emir Sahiti, verën e vitit 2018-të braktisi rradhët e “romantikëve” dhe iu bashkua Hajdukut, mirëpo te kjo skuadër asnjëherë nuk arriti që të gjejë hapësirën e duhur, njofton “infOSport.mk”.
21-vjeçari me gjigandët kroat nga Spliti kishte zhvilluar vetëm 4 ndeshje zyrtare në Superligën e Kroacisë, ndërsa në kërkim të minutazhit më të madh, i njëti pranoi që këtë verë të huazohet te skuadra e Shibenik.
Te këta të fundit Sahiti ka gjetur veten, ndërsa të dielën gjeti edhe golin e parë në futbollin elitarë të Kroacisë, edhe atë pikërisht ndaj skuadrës së tij, Hajdukut.
Emir Sahiti shënoi në minutën e 34-të, ndërsa goli i tij në fund u tregua si vendimtarë në fitoren e Shibenikut në udhëtim te Hajduku.
Ishte ky goli i parë në përgjithësi për Emir Sahitin në Superligën kroate, aty ku me Shibenikun shpreson të shpërthejë dhe sërish të kthehet te Hajduku, e më pas të transferohet edhe në ndonjë kampionat më të fuqishëm.
Kujtojmë Emir Sahiti, edhe pse shumë i ri në moshë, me Rabotniçkin në Ligën e Parë Futbollistike të Maqedonisë së Veriut kishte zhvilluar 35 ndeshje, ndërsa këtë edicion me Shibenikun në futbollin elitar kroat ka zhvilluar 8 ndeshje, duke realizuar edhe 1 gol, transmeton “infOSport.mk”.
Emiri, më i vogëli nga vëllezërit Sahiti (ka vëlla Suad Sahitin) gjithashtu një periudhë bukur të mirë kishte veshur edhe fanellën e Kombëtares U21 të Shqipërisë, për të cilën kishte regjistruar 10 ndeshje dhe 2 gola.