Shkëndija ka demoluar Vardarin në mes të Shkupit, duke vazhduar serinë e zezë të skuadrës shkupjane në duelet mes vete, transmeton “infOSport.mk”.
Goli debutues i Ramadanit, dy herë Ahmedi, Ibraimi dhe Totre zhvlerësuan avantazhin e vendasve me Popzllatanovin në fitoren 5:1 të “kuqezinjëve” nga Tetova në kuadër të xhiros së 9-të në Ligën e Parë të Futbollit të Maqedonisë së Veriut.
Një triumf i këtillë padyshim se ka kënaqur edhe stafin teknik me në krye Ernest Gjokën, që duke komplimentuar futbollistët e tij bën thirje për të vazhduar me këtë ritëm.
“Unë besoj se skuadra po gjen ritmin gradualisht, pavarësisht se shpesh herë edhe nuk arrijmë të shënojmë dot dhe disa ndeshje na kanë shkuar me barazim. Por mendoj se ritmi i skuadrës po vjen duke u rritur, skuadra po piqet, po merr atë kulturë dhe edukatë për të qenë në krye të tabelës. Sepse të jesh në krye të tabelës nuk është e lehtë. Jo vetëm që duhet të dalësh në krye të tabelës, por duhet të përshtatesh ta mbash psikoligjikisht. Këtë po kërkojmë që Shkëndija të rikthehet edhe një herë te ajo Shkëndija e famshme Europiane që gjithë ne e kemi pa dhe e kemi dashuruar. Por gradualisht mendoj se skuadra jep maksimumin dhe unë i falënderoj lojtarët për atë që ato e bëjnë gjatë këtyre javëve.” – tha Ernest Gjoka pas përfundimit të ndeshjes.