Daniel Musovski, i cili luan me skuadrën e Los Anxheles FC në MLS ligën amerikane, ka pranuar të luajë për përfaqësuesen e Maqedonisë së Veriut. Sulmuesi 24-vjeçar pritet të merr ftesë për ndeshjet e muajit nëntor në Ligën e Kombeve.
Seleksionuesi Igor Angellovski ka kontaktuar futbollistin që ka prejardhje nga Maqedonia e Veriut, teksa mori përgjigje pozitive në lidhje me dëshirën e tij për të luajtur për ekipin përfaqësues të vendit tonë.
Nëse gjithçka kalon si duhet në aspekt administrativ dhe gjërat mbyllen në kohë në lidhje me paisjen e tij me pasaportë të Maqedonisë së Veriut (prindërit e tij kanë pasaporta maqedonase), atëherë Musovski do të jetë në konkurim për ndeshjet e muajit të ardhshëm.
Deni Musovski, i cili ka origjinë maqedonase, ka lindur në Henderson, Nevada të SHBA-ve më 30 nëntor të vitit 1995.
Karrierën e ka nisur në vitin 2014 te skuadra e Las Vegas Mobsters, ndërsa para se të arrinte te Los Anxheles FC, një prej ekipeve më të mira në MLS, Musovski ka luajtur edhe për Barlingam Dragons, Takson San Hose Ertwix dhe Reno 1868 ku në 40 ndeshje shënoi 16 gola.