Mungesa e Vedat Muriqit në ndeshjen e Kosovës ndaj Maqedonisë së Veriut, nxiti tifozët që të shpërthenin në fyerje ndaj sulmuesit prizrenas, duke thënë se ai kishte refuzuar të bashkohej me skuadrën “dardane” në një nga ndeshjet më të rëndësishme, përmes së cilës mund të ëndërronin Europianin e vitit të ardhshëm.
Megjithatë në një reagim të bërë nga vetë sulmuesi, ai tha se e kishte të pamundur të ishte me Kosovën në një ndeshje kaq të rëndësishme për shkak të problemeve fizike.
Por, një deklaratë befasuese vjen nga trajneri i njohur kosovar, Musa Selimi, i cili për “KTV” është shprehur se situata te dardanët nuk është e qetë, duke shtuar se Muriqi ka pasur zënka në përfaqësuese.
“Vedat Muriqi ka pasur zënka në përfaqësuese. Bernard Berisha gjithashtu po bën disa gjëra të papranueshme. Ne jemi një përfaqësuese tani dhe nuk mund t’i lejojmë gjëra të tilla të ndodhin. Kështu i kam unë informatat. Për këtë duhet të reagojë trajneri Çallandes dhe FFK-ja, në mënyrë që gjëra të tilla të shmangen.”, u shpreh Selimi.