Heshtja do të thotë “po”! Ky është sinjali që futbolldashësit morën nga Kristiano Ronaldo. Ylli i Portugalisë u shpall “Lojtari i ndeshjes” pas barazimit 2:2 me Meksikën në përballjen e vlefshme për Kupën e Konfederatave, por doli jashtë protokollit të FIFA-s duke bojkotuar konferencën për shtyp.
32-vjeçari, siç duket, donte të shmangte pyetjet për largimin e mundshëm nga Real Madridi, duke mos e vrarë mendjen se mund të gjobitet.
Që pas akuzave të bëra nga ana e autoriteteve spanjolle për evazion fiskal, Ronaldo ende nuk është shprehur publikisht.
Përveç kësaj, ka dy ditë që gjithë Evropa është “çmendur” me spekulimet se ai kërkon të braktis Spanjën dhe Realin e Madridit.
“Dua të largohem, nuk ka kthim pas”, – mendohet të jenë fjalët që portugezi u ka thënë njerëzve të tij më të afërt.
Fakti që Ronaldo nuk foli pas përfundimit të ndeshjes së mbrëmshme ndaj Meksikës, tregon qartë se lajmet e fundit lidhur me emrin e portugezit kanë një bazament.
E përditshmja franceze “Le Parisien” komentoi se sulmuesi veçse po bën presion për të përfituar një kontratë të re, “Sky Sports” para një ore lëshoi “bombën” duke u shprehur me siguri se destinacioni i ardhshëm i kampionit të Evropës do të jetë ish skuadra e tij, Mançester Junajtedi.
“Kristiano është i interesuar për mundësinë e rikthimit te Mançester Junajtedi këtë verë”, – është lajmi i raportuar në Angli.
Sikur të mos mjaftonte “Sky Sports”, edhe gazeta e cila zbuloi e para dëshirën e Ronaldos për t’u larguar, “A Bola”, ka mërzitur tifozët madrilenë.
Sipas prestigjiozes portugeze, sulmuesi i ka kërkuar agjentit të tij, Horhe Mendes, që “të bëjë gjithçka që është e mundur” për ta transferuar te dashuria e tij e parë jashtë Portugalisë, Mançester Junajtedi, nga e cila skuadër në vitin 2009-të u transferua te Reali i Madridit, me të cilën skuadër fitoi të gjitha trofetë e mundshëm.
Nësë vjen deri te realizimi i këtij transferi, Kristiano Ronaldo te “Djajtë e Kuq” do të punonte sërish bashkë me Hoze Murinjon.