Është mbyllur me barazim 1:1 pjesa e parë e takimit midis Estonisë dhe Maqedonisë së Veriut, e vlefshme për raundin e tretë të grupit 2 në Ligën “C” të Kombeve, njofton “infOSport.mk”.
Angellovski këtë ndeshje e nisi me shumë ndryshime, mirëpo starti doli të jetë me fat për “verdhëkuqtë”, të cilët avansuan vetëm pas 3 minutave lojë falë gafës së mbrojtësit Kuusk dhe portierit Hein, i cili ishte harruar në mendime si duket aty pranë portës së tij.
Dhe kur u mendua se ky gol do të hap rrugën edhe të një goli të dytë eventual, një gjë e tillë nuk ndodhi. Si duket mungesat e shumta dhe vendimi i trajnerit Angellovski për të pushuar Bardhin dhe Pandevin, nuk po jep rezultatin e duhur, pasi Maqedonia e Veriut nuk po luan aspak rrjedhshëm, ndërsa po vërehen edhe probleme serioze në organizimin e lojës.
E gjithë kjo lojë e shfaqur nga të besuarit e Angllovskit, në minutën e 33-të solli edhe barazimin e rezultatit.
Sinjavski mjaft mirë i iku në të majtë Ristovskit, që nuk arriti të mbulojë me kohë një top dedikuar për futbollistin estonez, i cili me një pasim të saktë gjeti në shtyllën e parë sulmuesin Sapinen, i cili nuk fali dhe shënoi në rrjetën e Shishkovskit për barazim të rezultatit në 1:1, transmeton “infOSport.mk”.
Në pjesën e dytë nëse Maqedonia e Veriut kërkon të kthehet me pikë të plota nga Talini, është më se evidente se seleksionuesi Angellovski megjithatë do të duhet të inkuadrojë në lojë dyshen Bardhi-Pandev, të cilët pritet ti japin ngjyrë lojës së skuadrës “verdhekuqë”.