Një autogol i Mecinoviq fare në fund i mohoi fitoren Struga Trim Lum ndaj Partizanit

Pauzën në kampionat për shkak paraqitjes së përfaqësueses së vendit tonë në ndeshjet e Ligës së Kombeve, e ka shfrytëzuar edhe Struga Trim Lum që gjatë ditës së djeshme zhvilloi një miqësore luksi ndaj ish kampionëve të Shqipërisë, Partizanit, njofton “infOSport.mk”.

Ndeshja e zhvilluar në tokën shqiptare u mbyll me shifrat 2:2, edhe pse Struga Trim Lum ishte shumë afër fitores. Që të 4 golat u shënuan në 30 minutëshin e fundit, ndërsa autogoli i mbrojtësit Jasmin Mecinoviq në minutën e 89-të i’a mohoi fitoren skuadrës strugane, e cila kishte avansuar e para me golin e shënuar nga Nijas Lena në minutën e 60-të nga penaltia.

Partizani u kundërpërgjigjë vetëm 5 minuta më pas me anë të sulmuesit Broun, ndërsa për epërsinë e dytë në këtë ndeshje për Struga Trim Lum, u përkujdes Marjan Altiparmakovski me golin e shënuar në minutën e 74-të. Dhe kur të gjithëprisnin fundin e takimit dhe fitoren e skuadrës strugane, një harkim në zonën e skuadrë strugane gjeti të papërgatitur mbrojtësin Mecinoviq, i cili me kokë në vend që të pastrojë rrezikun, mposhti portierin e tij, duke bërë që në fund Partizani dhe Struga Trim Lum të ndahen miqësisht, transmeton “infOSport.mk”.

Te Partizani titullarë në këtë përballje luajtën edhe 2 futbollistët shqiptarë nga Maqedonia e Veriut, strugani, Egzon Belica dhe shkupjani, Jasir Asani, ndërsa gjithashtu pjesë e “demave të kuq” ishin edhe ish futbollistët e FC Shkupit Rron Broja dhe Besnik Ferati.

 

Leave a Reply