Maqedonia e Veriut do të luaj në finalen e madhe të Ligës së Kombeve, edicioni 2019/2020, pasi sonte të besuarit e seleksionuesit Igor Angellovski mundën Kosovën me rezultatin 2:1, njofton “infOSport.mk”.
Që të tre golat në këtë ndeshje u shënuan gjatë pjesës së parë, ndërsa në të dytën edhe pse u prit një Kosovë me agresive, një gjë e tillë nuk ndodhi, ashtu që në fund “verdhekuqtë” u kualifikuan për në finalen e madhe, aty ku dp të përballen me Gjeorgjinë.
Një autogol i Benjamin Kolollit i dha epërsinë skuadrës së Igor Angellovskit. Stefan Ristovski pranoi një top në pozitën e tij të dëshiruar në krahun e djathtë, ndërsa edhe pse nuk e goditi topin ashtu siç dëshironte, falë Benjamin Kolollit në fund topi përfundoi në rrjetën e Arijanet Muriç.
Pas këtij goli Kosova vendosi të transferohet në gjysëfushën e vendasve, ndërsa në minutën e 29-të “dardanët” përfituan nga një gabim trashanik i portierit Stole Dimitrievski, duke barazuar shifrat me anë të Florent Hadërgjonaj,
Mirëpo këtu nuk ishte fundi i golave të shënuar gjatë pjesës së parë, pasi në minutën e 33-të Darko Velkovski duke shfrytëzuar harkimin perfekt të Bardhit brenda zonës së Muriç, arriti që të mposhtë edhe për herë të dytë portierin e përfaqësueses së Kosovës.
GOLAT NGA NDESHJA, MAQEDONI E VERIUT – KOSOVË, NDIQENI KËTU.
Gjatë pjesës së dytë Maqedonia e Veriut shënoi dy gola, por në të dyja rastet Ademi ishte në pozitë jashtë loje. Fillimisht në minutën e 54-të, Ademi ishte në pozitë jashtë loje në momentin kur pranoi topin dhe e pasoi atë më pas për Goran Pandev, i cili nga afërsia arriti të mposhtë portierin Muriç.
I njëjti kapituloi edhe në minutën e 66-të, këtë herë para dyshes shqiptare, Enis Bardhi – Arijan Ademi. Ky i fundit arriti të shënojë në rrjetën e “dardanëve”, mirëpo arbitri kryesor Makelie nga Holanda tregoi që ky gol nuk vlen për shkak pozitës jashtë loje.
Paraprakisht Goran Pandev kishte vënë në mjaft vështirësi portierin e Kosovës, i cili me një intervenim të shkëlqyeshëm shpëtoi ekipin e tij edhe nga goli i tretë.
Këto sulme të vendasve shtynë seleksionuesin e Kosovës, Çallandes që deri në minutën e 70-të, të bëjë 3 zëvendësime, duke inkuadruar në lojë 3 futbollistë ofenziv si Elbasan Rasani, Edon Zhegrova dhe Lirim Kastrati.
Mirëpo kjo treshe nuk dha rezultatin e duhur, ndërsa shumë lehtë mund të ndodhte që në minutën e 78-të Maqedonia të shënonte edhe golin e tretë. Pandev pasoi në të majtë për Ezgjan Alioskin, goditjen e të cilit e ndali edhe njëherë tjetër portieri Muriç.
Kosova deri në fund tentonte përmes këmbëshpejtit Edon Zhegrova nga e djathta, mirëpo pa rrezikuar konkretisht portierin Dimitrievski, i cili në minutën e 94-të doli fitimtarë përballë Fidan Alitit, i cili nga afërsia nuk arriti që të shënojë golin e barazimit, transmeton “infOSport.mk”.
Po në minutat shtesë, edhe Maqedonia u kanos përmes Aleksandar Trajkovskit, mirëpo Muriç edhe njëherë tjetër doli fitues, duke qenë figura kryesore te përfaqësuesja e Maqedonisë në këtë ndeshje.
Kështu në fund Maqedonia iu gëzua fitores më të ëmbël në historikun e saj, që ju jep shpresa “verdhekuqve” për të bërë ëndërrën realitet dhe të kualifikohen në europianin e vitit të ardhshëm. Tashmë pengesa e vetme për Maqedoninë e Veriut mbetet Gjeorgjia, që në gjysmëfinalen tjetër më herët kishte mundur minimalisht 1:0 Bjellorusinë.