Mario Gëtce do të luajë për holandezët e PSV Eindhovenit. Një gjë të tillë pohojnë mediat holandeze, sipas të cilave ish kampioni i Botës me skuadrën e njohur nga “Eredevisie” ka firmosur kontratë dy vjeçare.
PSV-ja nuk shpenzoi asnjë qindarkë për kampionin e botës me Gjermaninë në vitin 2014 pasi Gëtces i kishte skaduar kontrata me Borusia Dortmundin, te e cila skuadër kishte kaluar pjesën më të madhe të karrierës së tij.
I konsideruar si njëri prej talentëve më premtues të futbollit gjerman, Gëtce arriti t’u jepte “Pancerave” kupën e katërt të botës në finalen e vitit 2014-të kundër Argjentinës. Ai në atë ndeshje erdhi nga stoli dhe realizoi golin historik në kohën shtesë.
Pas Kupës së Botës, karriera e tij pësoi një rënie të frikshme duke humbur dhe statusin e titullarit te Bajerni i Munihut.
Ai u kthye sërish te Borusia Dortmundi, por problemet shëndetësore me metabolizmin dhe dëmtimet nuk e lejuan të arrinte formën optimale.
Gjatë verës, Milani dhe Atletiko Madridi u interesuan për të, por kalimi në Holandë duket se e ka kënaqur më shumë Mario Gëtcën, emri i të cilit së fundmi lidhej edhe me dy skuadrat gjermane, Bajernin e Munihut dhe Herta Berlinin.