Feronikeli ka gjetur pasardhësin e trajnerit Afrim Tovërlani, i cili dha dorëheqje pas disfatës që skuadra nga Drenasi e pësoi dy ditë më parë nga Drita e Ardian Nuhiut.
“Gazeta Olle” mëson se tre herë kampionët e Kosovës kanë arritur marrëveshje me ish futbollistin e Kombëtares shqiptare, Klodian Duro.
Palët janë parë mbrëmë në njërin nga hotelet e Prishtinës, ku në një tavolinë më Duron kishin qëndruar Artan Berisha, Malësor Gjonbalaj dhe Ragip Veseli, pjesë e kryesisë së Feronikelit.
Burimet e njëjta bëjnë me dije se palët kanë arritur marrëveshjen dhe se shumë shpejt strategu nga Elbasani pritet të zyrtarizohet si trajner i Feronikelit.
Duro si trajner ka udhëhequr Kukësin, Kamzën dhe Luftëtarin, ndërsa si futbollist ka pasur karrierë të bujshme, ndërsa numëron edhe 77 ndeshje me kombëtaren e Shqipërisë.