Sefer Emini sot kundër Struga Trim Lum do të zhvillojë ndeshjen e tij të fundit me fanellën e Makedonija GJ.P, njofton “infOSport.mk”. Mesfushori shqiptarë karrierën e tij do ta vazhdojë në Rusi te skuadra e ligës së dytë, Akron Toljati.
Emini të enjten së bashku me menaxherin Shaqiri Rexhepi kishte udhëtuar drejt Beogradit, ku me sukses kishte kryer testet mjekësore. I njëjti pasi të zhvillojë takimin e sotëm pritet që sërish të udhëtojë, kësaj rradhe drejt Stambollit, aty ku edhe pritet firma me drejtuesit e skuadrës së Akron, e cila pas 12 xhirove të kaluara në Ligën e dytë me 11 pikë të tubuara renditet në pozitën e 18-të nga gjithsej 22 skuadra.
Burime të “infOSport.mk” bëjnë me dije se Emini me ekipin rus do të nënshkruajë kontratë 4-vjeçare, ndërsa këtë lëvizje mesfushori shqiptarë e sheh si trampolinë, për të bërë një hap tjetër më të rëndësishëm në karrierën e tij.
20-vjeçari Emini është një titullarë i padiskutueshëm te Makedonija GJ.P, për të cilën skuadër në 7 ndeshje ka shënuar 3 gola. Emini gjithashtu është edhe pjesë e përfaqësueses së Maqedonisë U21, për të cilën debutoi në ndeshjen e 8 shtatorit kundër Ishujve Faroe në kuadër të eliminatoreve për Europianin e ardhshëm, ndërsa i njëjti është ftuar edhe për ndeshjet e tetorit, që shpresat e vendit do ti zhvillojnë kundër Kazakistanit (8 tetor) dhe Izraelit (13 tetor).