Gjendja kritike e krijuar në kufirin midis Azerbajxhanit dhe Armenisë në ditët e fundit kanë detyruar futbollistin e kombëtares armene Varazdat Haroian të lërë në mes transferimin në Greqi te klubi i AEL Larisa dhe të mobilizohet për mbrojtjen e atdheut në rast përshkallëzimi të konfliktit mes dy vendeve fqinje.
Historia e pazakontë ka zënë vend edhe në mediat ndërkombëtare.
28-vjeçari Haroian ishte në prag të kalimit te Larisa, teksa mbylli me mirëkuptim bashkëpunimin me klubin rus Ural Ekaterinburg gjatë muajit shtator, por në fund të muajit gjendja e emergjencës e shkaktuar në Armeni e ka detyruar mbrojtësin dhe të gjithë bashkëqytetarët e tij deri në moshën 40 vjeç të bashkohen me forcat e armatosura.
Agjenti i Haroian i ka dërguar një letër klubit grek, në të cilën shkruhet se futbollisti i tij nuk do të nënshkruaj me AEL Larisa, për shkak se do të bashkohet me forcat e armatosura të Armenisë.
Haroian është një nga futbollistët kyç te Armenia, për të cilën kombëtare ka zhvilluar 52 ndeshje, duke realizuar edhe 2 gola. Përveç në Rusi dhe kuptohet në vendlindjen e tij, ku kishte luajtur me skuadrën e Pjunik Jerevan, Haroian gjatë karrierës së tij kishte provuar veten edhe në Iran, te skuadra e ShahR Khodrou FC.
Kujtojmë përfaqësuesja e vendit në nëntor duhet të luaj me Armeninë në transfertë në kuadër të ndeshjeve të Ligës “C” në Ligën e Kombeve.