Sileksi është eliminuar mbrëmë nga Drita e Gjilanit në raundin e dytë eliminatorë të Liga Europa, ndërsa e gjithë kjo ka zhgënjyer tej mase trajnerin e skuadrës nga Kratova, Goran Simov, njofton “infOSport.mk”.
Trajneri Goran Simov si duket kishte shpresuar shumë në kualifikimin për në raundin tjetër, ndërsa kjo kishte bërë që ai të shfryej ndaj lojtarëve të tij në konferencën për shtyp.
“Thjesht nuk kemi hyrë në ndeshje siç duhet, unë mbaj përgjegjësinë e plotë. Kishim agresion, por frikësohemi të fitojmë, të shënojmë. Thjesht, kjo është ndeshja më e keqe prej që jam trajner i Sileksit. Faji është imi. Lojë zero me pasime, zero shanse, skuadër e panjohur e Sileksit. Fatkeqësi futbolli. Urime Dritës, fitore e merituar”, tha Goran Simov në Konferencën për shtyp të organizuar për gazetarë.
Drita që udhëhiqet nga strategu shkupjan, Ardian Nuhiu shënoi fitore 2:0, falë golave të shënuar nga Fidan Gërbeshi dhe Ardian Limani gjatë pjesës së dytë, duke siguruar një vend për në raundin e tretë eliminatorë të Liga Europa, aty ku do të përballet me Leginë e Varshavës.