Java e 5-të në Ligën e Parë do të mbahet mend gjatë kohë, si java që nuk dhuroi asnjë gol pas 45 minutave të para, njofton “infOSport.mk”.
Në të gjitha 6 ndeshjet rrjetat pushuan në fragmentin e parë, teksa i pari që shënoi gol, ishte futbollisti i Vardarit, Matej Cvetanoski. Ky i fundit shënoi pas 7 minutave lojë në pjesën e dytë përballë FC Shkupit, duke i siguruar në këtë mënyrë fitoren skuadrës së tij, ndërsa pas tij vijon goli i Enur Totre të Shkëndijës, skuadër kjo që në fund shënoi fitore komode 3:0 përballë Bellasicës në udhëtim.
Pikërisht ndeshja në stadiumin “Bllagoj Istatov” në Strumicë rezultoi të jetë ndeshja më efikase në kuadër të javës së 5-të, javë kjo që dhuroi gjithsej 9 gola, apo një mesatare prej 1.5 golave për ndeshje.
Ndryshe këtë javë nuk u tregua asnjë karton i kuq, ndërsa u treguan gjithsej 32 kartonë të verdhë. Ndeshja me më shumë kartonë rezultoi të jetë ajo në Veles, midis Borecit dhe Akademia Pandevit. Në këtë ndeshje u treguan gjithsej 8 kartonë të verdhë, nga 4 për secilën skuadër.
Skuadrat vendase dolën të jenë më të suksesshme, duke realizuar 3 fitore, 2 fitore regjistruan skuadrat udhëtuese, ndërsa ndeshja në Manastir midis Pelisterit dhe Makedonija GJ.P u mbyll me barazim pa gola. Ishte kjo njëherit ndeshja e vetme pa gola të shënuar, ndërsa fitoreve si vendas iu gëzuan Struga Trim Lum, Boreci dhe Vardari. Për dy skuadrat e fundit (Borecin dhe Vardarin) ishin këto fitoret e para të këtij sezoni të arritura si vendas, transmeton “infOSport.mk”.
Fitoren e parë në rolin e mysafirit e regjistroi Rabotniçki, që në Tetovë mundi Renovën e Bujar Islamit minimalisht 1:0.