Fati i futbollistëve shqiptarë përfshirë këtu edhe tetovarin Durmishi, që luajtën për Lacion

Me emërimin e Igli Tares në postin e drejtorit sportiv te Lacio në vitin 2008, dyert e këtij klubi janë hapur më shumë për futbollistët shqiptarë. Tare është shumë i vlerësuar për punën që bën te Lacio, ndërsa ndër vite ka afruar disa futbollistë shqiptarë, përfshirë këtu edhe tetovarin, Riza Durmishi.

Tare edhe si futbollist ishte pjesë e Lacios, te e cila skuadër edhe kishte përfunduar karrierën e tij. Edhe pse ndoshta si futbollistë nuk kishte ndonjë sukses të theksuar, Tare po tregohet shumë i suksesshëm si drejtues. Transferimet që bën ai kryesisht dalin si shumë të suksesshme, ndërsa shpresojmë që një gjë e tillë të ndodhë edhe me transferimin e fundit, atë të Vedat Muriqit.

Bomberi kosovar, është i bindur se do t’ia dalë te Lacio, ndërsa thotë se i përshtatet loja që bën skuadra “laciale”.

Edhe Valon Berisha kishte shpresuar shumë, por tani po kërkon shkëlqimin në Francë. Pasi për shumë vjet shkëlqeu te Red Bull Salzburgu në Austri, Valon Berisha në korrik të vitit 2018 iu bashkua Lacios.

Synimet e mesfushorit të përfaqësueses së Kosovës ishin shumë të mëdha. Ai llogariste të stabilizohej në “Serie A” dhe më pas të ndërtonte mbi atë stabilitet.

Por gjërat nuk shkuan sipas planit për Valon Berishën.

Gjatë qëndrimit te Lacio, Berisha është përballur me telashe të mëdha dhe asnjëherë nuk ka mundur të stabilizohet te skuadra nga kryeqendra italiane.

Ai këtë vit luajti si huazim te Fortuna Dyzeldord, ndërsa gjatë muajit korrik iu bashkua Zenelit te Reimsi në Francë.

Shqiptarët e Lacios…Cili prej tyre sipas jush ka qenë (është) më i suksesshmi te skuadra "laciale" ❓❓❓

Публикувахте от infosport.mk в Неделя, 13 септември 2020 г.

Shpresa të mëdha kishte edhe tetovari, Riza Durmishi, mbrojtësi i majtë që përfaqëson kombëtaren e Danimarkës. Edhe 26-vjeçari ishte transferuar në vitin 2018 nga Real Betisi, ku ishte paraqitur me sukses, mirëpo shumë pak hapësirë gjeti te Lacio.

Në pjesën e parë të këtij viti ishte i huazuar te Nice në Francë, por nuk është që shkëlqeu. Ai sërish është rikthyer te Lacio, por nuk është në planet e këtij klubi. Me shumë mundësi do të shitet në këtë afat kalimtar. Dy ish-skuadrat e tij, Brondby dhe Real Betis, janë të interesuara për Durmishin, që ka 22 paraqitje për Danimarkën.

Nga viti 2013 deri në vitin 2016, pjesë e Lacios ishte edhe portieri i Kombëtares së Shqipërisë, Etrit Berisha. Ai ka mbrojtur në të gjitha edicionet, por pa ia dalë të stabilizohet.

Më tepër sukses kishte Valon Behrami, që te Lacio ishte prej vitit 2005 deri në vitin 2008. Madje ai ka shënuar një gol, që mbetet në kujtesë të tifozëve të Lacios ndaj rivalëve të mëdhenj të Romës.

Katër vite te Lacio i ka kaluar edhe ish-kapiteni i Kombëtares shqiptare, Lorik Cana, i cili vlerësohet si ikonë e futbollit shqiptar.

Te Lacio kishte periudhë të vlerësuar, ndonëse në secilin edicion ka munguar në një pjesë të ndeshjeve.

Muriqi kalon te Lacio në një moment të madh për karrierën e tij. Me Taren në postin e drejtorit, mundësitë nuk pritet t’i mungojnë, ndërsa shpresojmë se aftësitë e tij sulmuese ti dëshmojë edhe me petkun e një ndër skuadrave më të njohura italiane.

 

Leave a Reply