Glishiç flet për derbin kundër ish skuadrës së tij, Vardarit

FC Shkupi sot ka zhvilluar dhe stërvitjen e fundit para duelit të nesërm kundër Vardarit, që është edhe derbi i vjetër i qytetit.

Ekipi në vazhdimësi ka punuar gjatë këtyre dy javëve, aq edhe sa zgjati pauza shkaku i angazhimeve të përfaqësueses së vendit në Ligën e Kombeve.

Në këtë periudhë trajneri Muharrem Bajrami kishte mundësinë që të shfrytëzojë në maksimum përgatitjet, duke provuar edhe prurjet e reja, ndërsa këtë më së miri e dëshmuan edhe në ndeshjen kontrolluese kundër Osogovës, ku ekipi “bardhekaltër” nga Çairi shënoi fitore me rezultat 4:0.

Për duelin ndaj Vardarit ka folur mbrojtësi Darko Glishiç, i cili në të kaluarën ka veshur edhe ngjyrat e “kuqezinjëve”. Ai në një prononcim për faqen zyrtare të klubit ka thënë se duhet marrë me shumë seriozitet edhe këtë ndeshje, nëse dëshirojnë të marrin edhe 3 pikët e rradhës.

“Është një ndeshje me shumë rëndësi për ne, pasi që jemi në kreun e tabelës, do ta japim maksimumin tonë dhe duhet të jemi maksimalisht të koncentruar, pasi që e dimë se sa vlerë ka kjo ndeshje dhe kjo fitore. Luaj kundër ekipit tim amë, kështu që normalisht unë do ta jap maksimumin nga vetja, sikurse dhe të gjithë bashkëlojtarët e mi. Ekipi i Vardarit nuk duhet nënvlerësuar në asnjë mënyrë, për shkakun se kanë mjaft lojtarë të mirë. Derisa vazhdojmë të luajmë sikurse me Pelisterin dhe të them edhe me Neftçin, do të marrim rezultat të mirë dhe do të arkëtojmë tri pikët”, – ka thënë Glishiç.

Ndeshja Vardari – FC Shkupi luhet të dielën në arenën “Todor Proeski” me fillim në ora 16:00 dhe e njëjta do të transmetohet drejtëpërdrejtë në TVM2 dhe TVM3, si dhe “ArenaSport”.

 

Leave a Reply