Zekirja Ramadani është i lidhur ngushtë me futbollin e Kosovës. Strategu shkupjan ditë më parë u emërua në postin e trajnerit te skuadra me më shumë trofe në Kosovë, FC Prishtina, duke fituar kështu garën me Blendi Shkëmbin, i cili gjithashtu ishte një ndër kandidatët për të marrë timonin e skuadrës “bardhekaltër” nga kryeqendra e Kosovës.
Ish-kapiteni i Skënderbeut drejtoi për më shumë se një sezon Teutën e Durrësit, ndërkohë që e njeh edhe futbollin në Kosovë, pasi kishte drejtuar Lirinë e Prizrenit.
Vlerësimet për të kanë qenë pozitive, ndaj edhe te Prishtina e morën në konsideratë, mirëpo kur në skenë doli edhe emri i Zekirja Ramadanit, ata nuk u menduan shumë, pasi strategu shkupjan njihet si njeriu i trofeve, kjo për faktin se në Kosovë tashmë dy herë ishte shpallur kampion, edhe atë me skuadra të ndryshme.
Fillimisht një gjë të tillë bëri me Trepçën ’89 në vitin 2017-të, ndërsa suksesin e njëjtë përsëriti edhe me Feronikelin në vitin 2019-të.