Antalyaspor ka fituar garën me Fenerbahçen për shërbimet e shkupjanit, Omar Imeri, transmeton “infOSport.mk”. 20-vjeçari tashmë një kohë më të gjatë lidhet me një transferim në futbollin turk, ndërsa në fund është skuadra e Antalyaspor që e bënë për vete futbollistin e Shkëndijës.
Imeri pjesë e “kuqezinjëve” nga Tetova është që dy vite të plota. Ai te kjo skuadër erdhi nga FC Shkupi, ndërsa kishte qenë edhe pjesë e të rinjëve të Rabotniçkit.
Në Ligën e Parë Futbollistike të Maqedonisë së Veriut, Imeri numëron 70 ndeshje dhe 16 gola, ndërsa me Shkëndijën ka luajtur edhe në garat europiane.
Me kalimin në rradhët e Antalyaspor, Imeri do të ketë të mësojë shumë gjëra nga shoku i tij i skuadrës, Nuri Shahin, me të cilin pritet që të dirigjojnë mesfushën.
Një kalibër i një futbollisti si Nuri Shahin, që ka luajtur me skuadra të mëdha europiane, si Real Madrid, Liverpull, Borusia Dortmund, Fejenord dhe Verder Bremen, pa dyshim se është një sihariq për vetë Omar Imerin, i cili duke parë moshën që ka, me siguri se do përfitojë shumë nga minutat që do kalojë në fushë, por edhe gjatë stërvitjeve së bashku me të.
Ndryshe Nuri Shahin te Antalyaspor u transferua me 19 gusht të këtij viti, duke ardhur nga rradhët e Verder Bremen, aty ku shok skuadre kishte Milot Rashicën.
Përveç Nuhi Shahin, gjatë këtij afati kalimtarë të verës, Antalyaspor, gjithashtu kishte transferuar edhe Dever Orgill, Gökdeniz Bayrakdar dhe Serdar Gürler, ndërsa Imeri pritet që të bëhet transferimi i 5-të për këtë skuadër, pjesë e së cilës është edhe boshnjaku me pasaportë të Maqedonisë së Veriut, Adis Jahoviç, transmeton “infOSport.mk”.
Sezoni i ri futbollistik në Turqi starton të premten (11 shtator) me ndeshjen Rizespor-Fenerbahçe, skuadër kjo që deri para disa ditëve konsiderohej si skuadra e ardhshme e Omar Imerit. Ndërkohë Antalyaspor ndeshjen hapëse të sezonit të ri në Superligën turke do ta zhvillojë kundër Gençlerbirligi me datë 13 shtator (e diel).