Anglia ka mundur minimalisht 1:0 Islandën në transfertë në kuadër të ndeshjes së parë të Grupit 2 të Ligës “A” të Kombeve, njofton “infOSport.mk”.
Një ndeshje e dobët kjo nga “Tre Luanët” që e nisin ndeshjen me vrull duke shënuar me Harry Kane, por goli i tij u anulua.
Ndeshja u dominua nga anglezët, por që asesi nuk arrinin të gjenin golin. Sulmet e tyre nuk ishin të qarta dhe vendasit u mbrojtën mjaft mirë.
Gjithçka u bë më e vështirë pas daljes me karton të kuq të Kajll Uoker.
Mbrojtësi gaboi në ndërhyrjen e tij dhe la ekipin me 10 lojtarë në minutën e 71-të.
Anglia nuk u dorëzua dhe vazhdoi të sulmonte sërish, ndërsa e gjithë kjo dha rezultat në minutën e 90-të, kur falë golit të Rahem Sterling nga pika e bardhë arritën që të marrin atë fitore shumë të dëshiruar. Ignason ishte i pavëmendshëm në ato momente, duke shkaktuar penaltia dhe duke u ndëshkuar me kartonin e dytë të verdhë.
Mirëpo këtu nuk ishte fundi i takimit, pasi në minutat shtesë pasoi një dramë e vërtetë. Vendasit e Islandës u vërsulën në sulm, duke fituar një penalti që e mori përsipër Bjarnason, i cili gaboi, duke i dhuruar kështu fitoren Anglisë dhe 3 pikët e para.
Mali i Zi falë dopietës së Stefan Jovetiç me shifrat 2:0 mundi Qipron në udhëtim në kuadër të grupit 1 të Ligës “C”, aty ku Luksemburgu bëri befasinë e mbrëmjes duke mundur Azerbejxhanin në transfertë me rezultatin 2:1.
Gjeorgjia që bënë pjesë në grupin 2 së bashku edhe me Maqedoninë dhe Armeninë, si mysafir minimalisht 1:0 mundi Estoninë, ndërsa me po të njëjtin rezultat në kuadër të Ligës “D”, Gjibraltari mundi San Marinon.