Kombëtarja e Shqipërisë në futboll gjatë ditës së sotme është nisur drejt Minskut, ku të premten do të përballet me Bjellorusinë në sfidën e parë të vlefshme për Ligën e Kombeve. “Kuqezinjtë” janë optimist për të marrë një rezultat pozitiv në transfertë, edhe pse mungesat e shumta mund ti prishin planet trajnerit Edi Reja.
Me plotë 7 mungesa “kuqezinjtë” janë nisur drejt tokës bjelloruse, pasi përveç, Kumbullës, Brojës, Lenjanit dhe Kamberit, ditën e sotme, u shtuan edhe 3 mungesa të tjera për shkak dëmtimesh.
Bëhet fjalë për Memollën, Ismajlin dhe Ramadanin, futbollistë këta që gjithashtu nuk do të mund të ndihmojnë skuadrën kundër Bjellorusisë, një kundërshtarë ky mjaft i papërshtatshëm.
Ndeshja Bjellorusi-Shqipëri zhvillohet të premten (04.09) me fillim në ora 20:45, ndërsa në të njëjtën kohë 3 ditë më pas në “Air Albania Stadium”, “kuqezinjtë” e Edi Rejës do të mirëpresin Lituaninë në ndeshjen e xhiros së dytë të grupit 4 në Ligën “C”.