Shkëndija mbrëmë pa shumë probleme mposhti kundërshtarin nga Azerbejxhani, Sumgait në ndeshjen e raundit të parë eliminatorë të Liga Europa, duke regjistruar kështu fitoren e 10-të në ndeshjet e këtij kompeticioni, njofton “infOSport.mk”.
Shkëndija shënoi fitore 2:0 falë golave të dyshes Besart Ibraimi – Lupçe Doriev, për të cilin ishte ky goli debutues në ndeshjet europiane.
Shkëndija që në fillim nisi e orientuar në sulm dhe Dita e Ahmedi kishin goditjet e para.
Vendasit e Sumgait u përgjigjën rezikshëm në minutën e 21-të, mirëpo para Mammadov pastroi kroati Paviç.
Shkëndija ngadalë mori dominimin në terren dhe pas disa minutave me kontroll të gjatë të topit në minutën e 36-të, Omar Imeri ishte shumë pranë shënimit të golit, mirëpo falë intervenimit të portierit Dzhenetov, “kuqezinjtë” nuk shënuan.
Dy minuta para fundit të pjesës së parë u kanos edhe Ahmedi, mirëpo goditja e tij nga gjuajtja e lirë kontrollohet nga portieri vendas.
Fraksioni i dytë solli sërish dominim të Shkëndijës, megjithëse të parët që u kanosën ishin vendasit, kur Sadikhov në të 52-tën goditi ashpër me të majtën e tij, mirëpo vetëm mbi portë.
Kundërpërgjigjja erdhi shumë shpejtë nga ana e futbollistëve të Shkëndijës, më konkretisht nga ana e Besart Ibraimit, i cili në minutën e 56-të përfitoi një penalti, të cilën më pas e shndërroi edhe në gol për epërsi të Shkëndijës, 1:0.
Kjo negativë detyroi vendasit të përforcojnë ofanzivën me dy zëvendësime të shpejta, mirëpo Shkëndija shkoi fare pranë golit të dytë në minutën e 68-të kur Imeri ishte ne depërtim, por e majta e tij shkoi ngjitur me shtyllën në fundore.
Pesë minuta më vonë Dita shërben veritkalisht bukur për Ibraimin, ndërsa tentimi i tij për të gjetur Imerin në shtyllën e dytë pastrohet në këndore.
Vendasit ishin të pafuqishëm për të reaguar dhe kuqezinjtë kishin kontroll të plotë të ngjarjeve në fushë, derisa mbyllën llogaritë në minutën e fundit të ndeshjes.
Doriev u fut në të majtë dhe në zonën e penaltisë gjeti Zejnullain, goditja e të cilit ndalet me dorë nga Mutallimov që del nga loja me të kuq pas kartonit të dytë të verdhë, ndërsa Doriev me goditje të saktë nga pika e bardhë konfirmon kualifikimin e Shkëndijës në raundin e ardhshëm, ku kundërshtari do të mësohet në shortin e 31 gushtit.