Skuadra norvegjeze e Vikingut si duket është me fat që në rradhët e veta ka tre futbollistë kosovarë, të cilët në çdo ndeshje po rezultojnë deçiziv për skuadrën e tyre.
Fjala është për Veton Berishën, ndryshe vëllai i Valon Berishës, Zymer Bytyqin dhe Ylldren Ibrahimajn.
Tre musketirët kosovarë vazhdimisht janë në formacionin startues dhe që të tre luajnë në vijën e sulmit, ku kanë qenë mjaft produktivë deri tani për Vikingun.
Veton Berisha ka shënuar 7 gola dhe ka dhuruar 3 asiste në 15 xhirot e luajtura deri tani në kampionatin norvegjez. Ai është top golashënuesi i Vikingut, derisa renditet i 8-ti në listën e përgjithshme të golashënuesve në elitën e futbollit norvegjez, aty ku kryeson sulmuesi i Kristiansund, Amahl William Pellegrino me 13 gola.
⭐ Veton Berisha ⭐ Ylldren Ibrahimaj ⭐ Zymer Bytyqi ⭐
🇽🇰 #KosovoPower pic.twitter.com/OrKk61Cf0r
— Kosovan Football 🇽🇰 | 😷 (@kosovanfooty_EN) July 19, 2020
Zymer Bytyqi në këtë edicion ka regjistruar 3 gola dhe 3 asiste, ndërsa gjithashtu ka përfituar disa penalti, që në gol më pas i ka shndërruar Berisha.
23 vjeçari Bytyqi ka zhvilluar një ndeshje me Përfaqësuesen A të Kosovës, edhe atë në miqësoren kundër Suedisë, ndërsa dëshira e tij është që sërish të veshë fanellën e “Dardanëve”.
Ylldren Ibrahimaj, që gjithashtu ka qenë i ftuar te Kosova në të kaluarën, këtë edicion ka qenë vazhdimisht startues te Viking, ku ka shënuar 2 gola dhe ka dhuruar 1 asist.
Ndryshe, Vikingu pas 15 xhirove të para renditet në pozitën e 12-të me 16 pikë, ndërsa vlen të theksohet se treshja e futbollistëve shqiptarë ka shënuar 12 nga gjithsej 21 golat e kësaj skuadre.