Naumovski: Ne jemi FC Shkupi, gati për të “vdekur” në terren kundër Neftçi

Në një atmosferë pozitive dhe me shëndetin e plotë të të gjithë futbollistëve, ka përfunduar edhe stërvitja e fundit е FC Shkupit para nisjes për në Baku të Azerbajxhanit, aty ku “bardhekaltërit” nga Çairi do të përballen me ekipin e Neftçi, ndeshje kjo e vlefshme për raundin e parë eliminatorë të Liga Europa, njofton “infOSport.mk”.

Në prag të këtij takimi shumë të vlefshëm për FC Shkupin, ka folur portieri Kristijan Naumovski. Ai shpreson se ata futbollistë që do jenë në fushë do japin maksimumin dhe se do të luftojnë deri në “vdekje” për të arritur objektivin, kualifikimin në raundin tjetër.

“Tani më tre katër ditë së bashku me trajnerin tonë e kemi analizuar kundërshtarin, i cili na ka treguar për dobësitë dhe pikat e forta të tyre. Nesër udhëtojmë për në Baku dhe jemi të gatshëm që të japim maksimumin. Nuk do të jetë me rëndësi kush do të jetë në njëmbëdhjetëshen e parë apo në pankinë, me rëndësi do të jetë që të gjithë ata që do të vrapojnë në fushë, të japim maksimumin për 90-95 minuta, e çka do të ndodhë le të ndodhë. Ne jemi Shkupi, dhe pa marrë parasysh kundërshtarin për të cilin bëhet fjalë, qoftë Neftçi, Pelisteri, apo Vardari, ne çdoherë japim maksimumin dhe shkojmë në fitore. Mirë jemi përgatitur këto ditë dhe pas ndeshjes ndaj Bellasicës, nuk shkojmë me flamur të bardhë, do të shkojmë të luajmë futboll, të ‘vdesim’ në terren, atë që do të jep Zoti, ajo do të ndodh”, – është shprehur Naumovski për faqen zyrtare të klubit nga Çairi.

Leave a Reply