Bledi Shkëmbi edhe zyrtarisht ka nisur aventurën e tij të parë si trajner kryesor në një klub futbolli. Ish-kapiteni i Skënderbeut ka marrë drejtimin e Lirisë së Prizrenit në Superligën e Kosovës.
Në adresë të Shkëmbit kishte arritur një ofertë prej drejtuesve të Lirisë, ndërsa pasi e kishte menduar mirë për disa ditë, ish numri 10-të i Skënderbeut sot firmosi kontratën për bashkëpunimin për 1 vit me klubin nga Prizreni.
Aprovimin për kalimin e Shkëmbit te Liria e ka dhënë edhe presidenti i FSHF-së, Armand Duka, duke pasur parasysh se Shkëmbi ishte ende në bashkëpunim me Federatën e Futbollit shqiptarë, si ndihmëstrajner me Kombëtaren U-17 të Shqipërisë.
Lajmin për emërimin e Shkëmbit në krye të skuadrës së Lirisë e ka konfirmuar edhe kryetari i kësaj skuadre përmes faqes zyrtare në Facebook: “Klubi i Lirisë dëshiron ti uroj atij suksese në punën e nisur dhe kërkojmë prej tifozëve mbeshtetje maksimale për këtë zgjedhje”.
Për Shkëmbin kjo është përvoja e parë si kryetrajner. Ai deri tani ka punuar si ndihmëstrajner me Kombëtaren U-17 të Shqipërisë, ndërkohë që ka të gjithë kualifikimet dhe liçensat e nevojshme që i ka përfituar në muajt e fundit.
Shkëmbi është shpallur 6 herë radhazi kampion i Shqipërisë me Skënderbeun, ka qenë kapiteni i skuadrës që luajti ne grupet e Liga Europa, ndërkohë që në të shkuarën ka fituar dhe Kupën e Shqipërisë me Besën e Kavajës.