Vetëm disa orë pas takimit me yllin e skuadrës së Barcelonës, Lionel Messin, tekniku i ri i “katalunasve”, Ronald Kuman ka dhënë një intervistë për mediat holandeze, ku ka konfirmuar rëndësinë e “pleshtit” për klubin e njohur spanjoll.
Holandezi 57-vjeçar foli me superlativa për Lionel Messin dhe u shpreh i bindur që ai do ta mbyllë karrierën te Barcelona, pasi e quajti argjentinasin një emblemë për klubin “katalunas”.
“Kam akoma kontakte me Guardiolën dhe ai më thotë që është fantastike të punosh me Messin. Është një fitues dhe kur nuk fiton, nervozohet. Duhet të sigurohem që ndihet i rëndësishëm, pasi Messi duhet të qëndrojë këtu. Messi është Barcelona dhe Barcelona është Messi”, – deklaroi Kuman.
Megjithatë Kuman nuk është ndalur vetëm te “pleshti”, pasi ka deklaruar se loja e Barcelonës do të nisë nga pozicionimi i duhur në fushë i holandezit Frenki De Jong, por edhe i francezit, Antuan Grizman.
“Kam parë një ndeshje të Barcelonës dhe kam thënë me vete, nuk do ta aktivizoj kurrë De Jong në atë pozicion. Ai do të luajë në të njëjtin pozicion që luante te Ajaksi apo te kombëtarja holandeze. Nuk mund të investosh 70 milionë euro për një djalë të ri dhe më pas të mos e aktivizosh në rolin që ndihet më mirë. Edhe Grizman nuk është një sulmues anësor, siç ka luajtur shpesh te Barcelona këtë sezon. Duhet të kuptojmë sa më shpejt se ku mund të shprehet më mirë dhe ta bëjmë që të vërë aftësitë e tij në dispozicion të skuadrës”, – u shpreh trajneri i ri i “katalunasve”.