Skuadrat kosovare kanë hyrë fuqishëm në tregun e transferimeve të futbollistëve, teksa ofrojnë shifra shumë të larta për ti marrë ata në skuadrat e tyre.
Madje, sytë e shumë skuadrave të Superligës janë nga Superliga shqiptare. Pikërisht, drejtori i Vllaznisë së Shkodrës, Matko Djermati në një intervistë për “Star Plus TV” ka prekur këtë temë, duke potencuar se tregu në Kosovë po i prish shumë punë shkodranëve.
“Lojtarët që ishin vjet… kemi shumë vështirësi për të mbyllur kontratat, me çdonjërin prej tyre. Kemi dy javë që punojmë dhe është vërtet shumë e vështirë. Trajneri kërkoi me ngulm që të dalim në stërvitje me këtë organikën që kemi tani. Na duhet koha dhe nuk e kemi në fakt. Tregu në Kosovë na prish çdo plan, me çdo lojtar që kemi ne në plane apo kemi diskutime, ata marrin oferta dyfish apo trefish nga ajo që ofrojmë ne. Çdo ditë kemi dy-tre opisione, refuzime patjetër, por jam optimist që do të kemi një ekip cilësor. Unë jam shumë optimist, jap maksimumin tim, punoj 12 orë në ditë. Nuk kam qejf fare që të shoh se çfarë ka ndodhur përpara, por se çfarë do të ndodhë”, – është shprehur Djermati.