Shkëndija, FC Shkupi dhe Renova për herë të parë së bashku në historikun e futbollit vendor do të prezantojnë Maqedoninë e Veriut në garat e Liga Europa, njofton “infOSport.mk”. Që të tre këto skuadra tashmë kanë mësuar edhe emrat e kundërshtarëve të tyre, ndërsa rreth gjasave për të kaluar më tej për portalin tonë ka folur Argjend Beqiri.
E zgjodhëm pikërisht këtë emër, pasi menduam se është më i denjtë, duke pasur parasysh se në të kaluarën ka luajtur për të trija këto skuadra, ndërsa me Slloga Jugomagnatin, tashmë FC Shkupin, kishte pasur mundësinë që të luaj kundër skuadrave azere dhe armene në garat europiane.
“Pikë së pari ju dëshiroj të gjitha ekipeve suksese, pasi janë ekipe tek të cilat kam luajtur. Kundërshtarët e ekipeve janë perafërsisht të njejtë me futbollin që e luajmë edhe ne. Janë ekipe qe luajnë më tepër futboll fizik, pikërisht në këtë drejtim janë më të fuqishëm se në anën teknike” – u shpreh fillimisht Argjend Beqiri, i cili thotë se skuadrat nga Azerbejxhani nuk janë njëjtë sikurse edhe shumë vite më parë, kur edhe ai luante ndaj tyre.
“Në Azerbejxhan të themi 5 apo 8 vitet e fundit po investohet shumë në futboll. Pikërisht në këtë aspekt ato janë para nesh, ndaj besoj se skuadrat tona nuk do ta kenë të lehtë. Gjithashtu edhe në aspektin infrastrukturor ato janë para nesh. Megjithatë duke pasur parasysh se për shkak pandemisë ‘Covid 19’ do të zhvillohet vetëm nga një ndeshje, do jetë më ndryshe për ekipet tona, pasi më shumë do të luhet taktikisht. Mendoj se pikërisht skuadrat më mirë të përgatitura taktikisht kanë gjasa më të mëdha për të vazhduar më tej. Unë besoj në kualitetin e ekipeve tona, pasi nëse bëjnë një lojë kolektive mund të shpresojnë në sukses. Futbolli modern don futbollin kolektiv, ashtu që shpresoj se pikërisht në këtë aspekt skuadrat tona do i’a dalin” – theksoi Beqiri.
Sipas legjendës së futbollit vendor, Renova ka më shumë gjasa, por edhe Shkëndija dhe FC Shkupi kanë shanset e tyre, duke pasur parasysh se në rradhët e tyre kanë sjellë futbollistë mjaftë cilësor.
“Në bazë të emrave të kundërshtarëve, mendoj se Renova ka më shumë gjasa, duke pasur parasysh se përballë ka një kundërshtarë më të dobët në kualitet, por gjithsesi se gjasa kanë edhe FC Shkupi dhe Shkëndija, duke pasur parasysh se këto skuadra kanë bërë përforcime cilësore në rradhët e tyre” – përfundoi Beqiri.
Kujtojmë Shkëndija në raundin e parë eliminatorë të Liga Europa do të përballet me skuadrën e Sumgait nga Azerbejxhani, Renova do të përballet me Alashkert nga Armenia, ndërkohë kundërshtarë nga Azerbejxhani edhe për skuadrën e FC Shkupit, që do të përballet me Neftçi. Që të gjitha këto ndeshje skuadrat tona do i luajnë në transfertë me datë 27 gusht.