Amir Bilali ka vendosur që karrierën e tij ta vazhdojë në Rumani, duke nënshkruar me skuadrën nga Superliga, Academica Clinceni, njofton “infOSport.mk”. Mbrojtësi me origjinë nga Gostivari, së fundmi ishte pjesë e Partizanit të Tiranës, te e cila skuadër u transferua verën e vitit 2019-të nga rradhët e FC Shkupit.
Bilali te Partizani erdhi si një përforcim i madh, mirëpo ndryshimet e trajnerëve te kjo skuadër dhe lëkundjet që ndodhën brenda saj, nuk i mundësuan atij të tregojë cilësitë e vërteta. Bilali zhvilloi vetëm 4 paraqitje me Partizanin, me të cilën skuadër e mbylli 10 ditë më parë.
Siç mëson “infOSport.mk” për shërbimet e 26-vjeçarit Bilali, interes kishte shfaqur edhe skuadra malezeze e Buduçnostit. Madje Bilali kishte udhëtuar drejt Malit të Zi dhe ishte ulur në tavolinën e bisedimeve, mirëpo si duket oferta më e majme e rumunëve të Academica Clinceni kishin bindur gostivarasin për të pranuar ofertën e këtyre të fundit.
Amir Bilali te Academica Clinceni do të prezantohet gjatë ditës së nesërme, ndërsa pritet të jetë një përforcim ideal për repartin e mbrojtjes, aty ku Bilali vite më parë komandonte në mbrojtjen e FC Shkupit.