Dibirgadzhiev: Te FC Shkupi kam ardhur për të shënuar sa më shumë gola

FC Shkupi dje ka zyrtarizuar afrimin e 6-të gjatë këtij afati kalimtarë të verës. Emri më i ri në taborin “bardhekaltër” nga Çairi është sulmuesi shtatëlartë nga Rusia, Dzhamal Dibirgadzhiev, me të cilin FC Shkupi ka arritur kontratë 3-vjeçare.

Dibirgadzhiev sot ka arritur në Shkup dhe menjëherë ka kryer edhe procedurat e fundit për vënien e firmës me ekipin shkupjan.

“Jam i kënaqur që kemi nënshkruar kontratë për tre vite, kjo do të jetë mirë për mua pasi që ekipi luan në kategorinë e parë dhe garon në Liga Europa. Besoj se kjo do të jetë e mirë edhe për klubin që së bashku të bëjmë një progres në të ardhmen” – u shpreh fillimisht sulmuesi rus, i cili tha se te FC Shkupi ka ardhur për të shënuar sa më shumë gola.

“Unë te Shkupi kam ardhur për të shënuar gola, kjo është detyrë e imja, sezonin e kaluar kam shënuar 17 gola në 20 paraqitje dhe kam pasur 6 asistime. Jam shpallur golashënuesi më i mirë i kupës, por e gjithë kjo dua të mbetet pas meje, pasi që kam ardhur te Shkupi për një sfidë dhe etapë te re dhe jam i etur për të dhënë edhe më shumë gola. Unë kam shënuar edhe më parë, por njerëzit nuk duhet të flasin shumë për të kaluarën, por për të tashmen dhe të ardhmen” – deklaroi Dzhamal Dibirgadzhiev për faqen zyrtare të skuadrës nga Çairi.

Kujtojmë para Dibirgadzhiev, FC Shkupi kishte nënshkruar edhe me Ilirid Ademin, portierët Artan Iljazi dhe Kristijan Naumovski, kostarikanin, Fredy Alvarez dhe turkun Firat Gulu.

 

Leave a Reply