Bazhe Todorovski me skuadrën e Teutës fitoi trofeun e Kupës së Shqipërisë këtë edicion, pasi në finale ishin më të mirë se Tirana, duke fituar me rezultat 2:0. Pas këtij suksesi të parë pas 15 viteve, futbollisti nga vendi jonë shprehet i lumtur që është bërë pjesë e historisë së klubit të Teutës.
“Jam shumë i lumtur që në sezonin e parë me Teutën arrita të fitoj trofeun e Kupës. Ndjenjë e bukur të jesh pjesë e ekipit që sjell një trofe që mungon me vite edhe atë e bëjmë në vitin kur klubi kremton 100 vite egzistencë. Ky fakt e bën këtë gjeneratë historike dhe jam i lumtur të jem këtu”, tha Bazhe Todorovski.
Me mbylljen e sezonit në Shqipëri, Todorovskit i ka skaduar edhe kontrata që kishte me Teutën, ndërsa tani ka opsion vazhdimi si dhe disa opsione tjera për të ndërruar ambient.
“Me finalen e Kupës kontrata ime me Teutën ka përfunduar. Kam oferta interesante, por edhe drejtuesit e Teutës tregojnë vullnet për të vijuar bashkëpunimin. Nëse gjejmë gjuhë të përbashkët me shumë kënaqësi do të vazhdoja këtu. Ekipi është super, presidenca korrekte, më respektojnë, do të luajmë në Europë, kështu që uroj të gjejmë akordim për rinovim”, përfundoi Todorovski.