Ky sezon i Xhakomo Vrionit ka qenë padyshim më i veçanti për të dhe më i arriri nga ana profesionale. Në fillim të sezonit sulmuesi ishte në pronësi të Sampdorias, por ky klub e kishte huazuar në Serie B te Çitadela, ku luajti në katër ndeshje. Në merkaton e dimrit, cilësitë e tij ranë në sy të Juventusit dhe bardhezinjtë e transferuan në këmbim të tre talenteve, që kaluan te Sampdoria.
Vrioni u aktivizua fillimisht te të rinjtë e Juventusit, ku arriti të luajë në tre ndeshje në Serie C dhe të gjejë një herë rrugën e rrjetës. Më pas Sarri e pëlqeu dhe vendosi ta grumbullojë në disa ndeshje të Serie A dhe Kupës së Italisë, por pa i dhënë mundësi të debutojë.
Momenti i shumëpritur erdhi dhe Vrioni debutoi në ndeshjen e fundit të kampionatit ndaj Romës, ku u aktivizua në minutën e 79 në vend të Higuain.
11 minutat e luajtura me skuadrën e parë regjistruan një rekord shumë të veçantë për Vrionin. 21-vjeçari ka mundur të aktivizohet në tre ligat italiane, Serie A, B dhe C brenda një sezoni të vetëm.
Një rekord unik për sulmuesin, i cili tashmë ka misionin për të luajtur sa më shumë me “bardhezinjtë”, me qëllim aktivizimin e vazhdueshëm në një kampionat si Serie A, qoftë apo jo me Juventusin. (vipsport)