Policia Financiare ka ngritur padi penale kundër ish-presidentit të Federatës së Futbollit të Maqedonisë së Veriut, Ilço Gjorgjioski, ish-drejtoreshën e financave të FFM-së, Olgica Mladenovska si dhe 26 personave të tjerë, 11 prej të cilëve janë persona jurudik, nën dyshimin për përvetësimin e 2.4 milionë eurove nga llogaria e Shtëpisë së Futbollit. Ata akuzohen për shoqatë kriminale, shpërdorim të pozitës dhe autoritetit zyrtar, punë të pakujdesshme në shërbim, përvetësim në shërbim si dhe falsifikim. Të gjithë të akuzuarit dyshohen se kanë përvetësuar 2.4 milionë euro në periudhën nga fillimi i vitit 2015 deri në tetor të vitit 2019.
Kujtojmë se 6 muaj më parë, kryetari aktual i FFM-së Muamed Sejdini paraqiti te autoritetet zyrtare dyshimet për krim finansiar dhe keqpërdorim të detyrës zyrtare nga tashmë ish-përgjegjësja e finansave të Federatës së Futbollit të Maqedonisë së Veriut, Olgica Mladenovska.